Kërkohej prej një muaji nga familjarët, Prokuroria Fier dërgon në gjyq brazilianen dhe personin e akuzuar për shfrytëzim pro*titucioni

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy persona të akuzuar për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Sipas Prokurorisë, në gjykim do të dërgohen shtetasi S.M., i akuzuar për “Shfrytëzim prostitucioni”, si dhe shtetasja braziliane L.J.D.S., e akuzuar për “Prostitucion”.
Hetimi nisi pas një kërkese ndihme të ardhur nga Ambasada e Brazilit në Tiranë, pasi familjarët e shtetases braziliane kishin humbur kontaktet me të prej rreth një muaji. Pas verifikimeve, autoritetet shqiptare identifikuan personin që kishte pasur kontaktet e fundit me të dhe nisën veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave.
Gjatë hetimeve janë administruar dëshmi, janë kontrolluar aparate celularësh, janë analizuar komunikime elektronike dhe janë mbledhur prova të tjera materiale. Sipas Prokurorisë Fier, nga këto hetime ka rezultuar se shtetasja braziliane kishte hyrë në Shqipëri në shtator të vitit 2025 me qëllim ushtrimin e prostitucionit, pas kontakteve të krijuara përmes platformave online.
Nga hetimet dyshohet se ajo ka ushtruar prostitucion në ambiente të ndryshme në Tiranë, Golem dhe më pas në Lushnjë. Prokuroria deklaron se shtetasi S.M. kishte siguruar klientë, kishte negociuar tarifat e shërbimeve seksuale dhe kishte organizuar takime kundrejt përfitimit financiar.
Komunikimet elektronike të sekuestruara, sipas organit të akuzës, kanë treguar se S.M. u ofronte personave të ndryshëm takime seksuale me pagesë me shtetasen braziliane, duke përcaktuar çmimet dhe organizuar kontaktet.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë Gjyqësore, shtetasja braziliane u gjet në një banesë në fshatin Karbunarë të Bashkisë Lushnjë, ku qëndronte në atë moment.
Prokuroria Fier thekson se vijon punën për hetimin e rasteve që cenojnë lirinë dhe dinjitetin e personit, në bashkëpunim me institucionet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë, për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të shfrytëzimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Personat e akuzuar gëzojnë të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet përfundimisht nga gjykata.




