Shënohet viktima e dytë nga moti i keq në jug, gjendet i mbytur peshkatari pranë ishujve të Ksamilit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në afërsi të ishujve të Ksamilit, ku është gjetur i pajetë në det një peshkatar 61-vjeçar, i identifikuar si Mihal Zoi.
Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes. Gjatë kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur edhe mjetin e tij lundrues të fundosur. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, në kohën kur zona u godit nga stuhia e fortë dhe kushtet e vështira atmosferike.
Hetimet paraprake po fokusohen në mundësinë e një mbytjeje aksidentale të shkaktuar nga moti i keq, ndërsa grupi hetimor po verifikon të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Sipas burimeve, 61-vjeçari ishte i divorcuar dhe fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Në Shqipëri ai kishte vetëm një motër si familjare të afërt.
Nëse konfirmohet se vdekja lidhet me stuhinë që goditi jugun e vendit, kjo do të jetë viktima e dytë e motit të keq në këtë zonë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




