Publikohen fotot e çiftit Plaka, zbardhet dinamika e plotë e tragjedisë në Vidhishtë të Roskovecit

Janë zbardhur detaje të reja nga tragjedia e rëndë që tronditi fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ngjarje që përfundoi me tre viktima. Fieri Web ka siguruar dinamikën e plotë të krimit, bazuar në informacione dhe dëshmi të mbledhura nga vendngjarja, si edhe fotot e bashkëshortëve Kosta dhe Belerie Plaka.
Sipas informacioneve të siguruara, rreth orës 05:00 të mëngjesit të së enjtes, 35-vjeçari Refit Buzi ka hyrë i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka. Në ato momente, bashkëshortët Kosta dhe Belerie Plaka po përgatiteshin të niseshin për në punë.
Menjëherë pas hyrjes në banesë, autori ka hapur zjarr ndaj çiftit. Kosta Plaka ka humbur jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij, Belerie Plaka, mbeti e plagosur rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas krimit, 35-vjeçari ka marrë me forcë ish-partneren e tij 24-vjeçare, me të cilën kishte pasur një lidhje rreth nëntëvjeçare, dhe është larguar nga pjesa e pasme e banesës. Më pas ai është drejtuar drejt zonës së Kurjanit, ku pas disa orësh ndjekjeje nga forcat e Policisë së Shtetit, e ka lënë të renë të lirë dhe pa lëndime.
Operacioni për kapjen e autorit ka vijuar për disa orë. Pavarësisht negociatave të pandërprera me efektivët e Policisë së Shtetit, që zgjatën rreth shtatë orë, 35-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe në fund i dha fund jetës duke kryer vetëvrasje.
Një histori që kishte nisur vite më parë si një lidhje mes dy të rinjve përfundoi në mënyrën më tragjike, duke lënë pas tre viktima dhe dy familje të shkatërruara.




