Operacioni “Game Over” në Divjakë, zbulohen lojëra fati në një lokal, arrestohen pronari dhe kamarieri
Policia e Divjakës ka finalizuar operacionin e koduar “Game Over”, të zhvilluar për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, u zbulua në një lokal në fshatin Karavasta e Re një ambient i përshtatur për organizimin e lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë.
Në pranga u vu pronari i lokalit, shtetasi A. Ç., 52 vjeç, i dyshuar për organizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Po ashtu u arrestua edhe E. Ç., 35 vjeç, kamarier në lokal, pasi gjatë kontrollit në telefonin e tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.
Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se 35-vjeçari ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e veprimeve ligjore.




