Rriten aksidentet rrugore në Shqipëri, Fieri me 13 aksidente gjatë qershorit 2026
Numri i aksidenteve rrugore në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë muajit qershor 2026, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Gjatë muajit qershor janë regjistruar 132 aksidente rrugore, ku 186 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Ndërkohë, për periudhën janar–qershor 2026, numri i aksidenteve ka arritur në 679, ose 6.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas raportit, 93.9% e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, ndërsa grupmosha 35–44 vjeç rezulton të ketë përqindjen më të lartë të drejtuesve të përfshirë në aksidente, me 28% të rasteve.
Statistikat tregojnë gjithashtu se dita me numrin më të lartë të aksidenteve është e marta, me 18.9% të totalit, ndërsa dita me më pak aksidente është e enjtja, me 7.6%. Po ashtu, intervali kohor 19:00–24:00 rezulton të jetë më problematiku, duke përqendruar 25% të aksidenteve të regjistruara.
Situata në qarkun Fier
Në qarkun Fier, gjatë muajit qershor 2026 u regjistruan 13 aksidente rrugore, krahasuar me 7 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve arriti në 21 persona, nga 10 që ishte një vit më parë.
Megjithatë, në nivel gjashtëmujor, të dhënat tregojnë një përmirësim: nga 54 aksidente në periudhën janar–qershor 2025, numri ka rënë në 46 për të njëjtën periudhë të vitit 2026. Edhe numri i të vrarëve dhe të plagosurve ka zbritur nga 81 në 62.




