Së shpejti nis disbursimi i 7.2 miliardë lekëve për fermerët, rreth 41 mijë përfitues nga Skema Kombëtare
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) pritet të nisë së shpejti disbursimin e 7.2 miliardë lekëve për fermerët që aplikuan për mbështetje në Skemën Kombëtare dhe Skemën e Investimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 41 mijë fermerë do të përfitojnë subvencione, ku pjesën më të madhe të aplikimeve e zënë fermerët që kërkuan mbështetje për sipërfaqet e punuara dhe blegtorët e të imtave.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, bëri të ditur se AZHBR ka përfunduar kontrollet paraprake për skemën e pagesave direkte dhe ka hartuar listën e përfituesve.
“Tashmë AZHBR ka bërë kontrollet paraprake të Skemës së Pagesave Direkte, duke prodhuar listën e përfituesve. Aktualisht po kryhen kontrollet përfundimtare, me qëllim nisjen e pagesës së këstit të parë për fermerët”, u shpreh Guri.
Ndërkohë, 465 fermerë kanë aplikuar për mbështetje në investime, si ndërtimi i fermave dhe stanëve apo blerja e traktorëve dhe makinerive bujqësore.
Sipas Gurit, ky vit ka shënuar nivelin më të lartë të kërkesave për financim që prej krijimit të Skemës Kombëtare.
Lidhur me debatet për heqjen e subvencionimit të naftës nga skema e këtij viti, zëvendësministri theksoi se modeli i ri është ndërtuar sipas praktikave të Bashkimit Evropian dhe pritet të mbetet i pandryshuar në strukturë edhe në vitet e ardhshme, me mundësi zgjerimi në varësi të fondeve në dispozicion.
Fillimisht, në buxhetin e shtetit për vitin 2026 ishin parashikuar 5.2 miliardë lekë për Skemën Kombëtare, por për shkak të numrit të lartë të aplikimeve fondi u rrit me 2 miliardë lekë, duke arritur në 7.2 miliardë lekë.




