AKTUALITETSTAR CHANNEL
Situata e zjarrit në Mallakastër mbetet kritike, kërkohet ndërhyrje urgjente me një helikopter të dytë
Situata e zjarreve në fshatrat Panahor, Ngracan, Riban dhe Drenie vijon të mbetet kritike, ndërsa flakët janë ende aktive në disa vatra dhe po përhapen në masive pyjore.
Sipas të dhënave nga terreni:
- Në zonën e Panahorit, zjarri vazhdon me intensitet të lartë, duke avancuar në drejtim të fshatrave Panahor dhe Çyçen, me tendencë përhapjeje edhe drejt Cfirit.
- Mbi fshatin Ngracan, zjarri vijon me intensitet më të ulët, por mbetet aktiv dhe po lëviz në drejtim të zonës së banuar.
- Në Riban, flakët vazhdojnë të jenë aktive në brendësi të masivit me pisha.
- Zjarri mbetet aktiv edhe në drejtim të masiveve pyjore të Drenies dhe Vloshtit.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të MZSH-së, 30 forca bashkiake dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura.
Nga ajri aktualisht po operon një helikopter, por për shkak të terrenit të vështirë, sipërfaqes së madhe të përfshirë nga zjarri dhe rrezikut të shtuar gjatë orëve të mesditës, autoritetet kërkojnë angazhimin urgjent edhe të një helikopteri të dytë, për të përballuar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara.




