Vrasja e dyfishtë në Patos/ Ekstradohet nga SHBA Sokol Hoxha, i dënuar me 25 vite burg
Sokol Hoxha, i dënuar për tre vrasje të kryera në vitin 1997, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë dhe ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.
Aktualisht, Hoxha është i dënuar me 25 vite burg nga gjykatat shqiptare për vrasjen e dy vëllezërve në Patos. Paralelisht, ai kërkohet edhe nga autoritetet belge për të vuajtur dënimin lidhur me vrasjen e Brunilda Dervishit.
Pas vrasjes së dyfishtë në Patos, Sokol Hoxha u arratis nga Shqipëria, duke u fshehur fillimisht në Greqi e më pas në Belgjikë.
Sipas hetimeve të zhvilluara ndër vite nga agjenci ligjzbatuese evropiane dhe ndërkombëtare, aktiviteti i tij në Belgjikë lidhej kryesisht me shfrytëzimin e prostitucionit. Autoritetet dyshojnë se edhe vrasja e Brunilda Dervishit ka qenë e lidhur me këtë aktivitet të paligjshëm.
Sipas dosjes hetimore, Hoxha kishte lidhur një martesë fiktive me Brunilda Dervishin dhe e shfrytëzonte atë për prostitucion. Dyshohet se ai e vrau në një lokal në Bruksel pasi viktima kundërshtoi t’i bindej kërkesave të tij për ta shfrytëzuar.
Pas kësaj ngjarjeje, Hoxha u largua fillimisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku qëndroi për shumë vite duke iu shmangur drejtësisë.
Me ekstradimin e tij në Shqipëri, Sokol Hoxha pritet të vuajë dënimin prej 25 vitesh burg të dhënë nga gjykatat shqiptare, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar procedura që do të ndiqet në lidhje me kërkesën e autoriteteve belge.




