Ndërtimi pa leje në Himarë/ Arrestohen dy efektivë, shpallen në kërkim dy të tjerë

Për ngjarjen e djeshme në 10 gusht të konstatimit të një objekti 5 kate pa leje në Himarë, ka reaguar sot dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
AMP ka ndaluar dy punonjës të Policisë së Shtetit, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim për “Shpërdorim të detyrës”. Bëhet fjalë për një hetim që ka vënë nën përgjegjësi penale zinxhirin komandues të strukturave të Policisë në Komisariatin e Himarës, lidhur me mënyrën sesi është lejuar e trajtuar ndërtimi i objektit shumëkatësh pa leje.
Sipas AMP-së, pas ndërhyrjes së IKMT-së dhe shembjes së objektit, hetimet janë zgjeruar edhe mbi veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të policisë, që kanë pasur dijeni ose përgjegjësi institucionale për situatën.
Kështu, në kuadër të hetimeve është arrestuar Emiljano Prenga, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë, i cili më herët ka mbajtur të njëjtën detyrë në Komisariatin e Policisë Himarë.
Gjithashtu është arrestuar Klodian Petani, me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, i cili më parë ka shërbyer në të njëjtin pozicion në Komisariatin e Policisë Himarë. Në kërkim është shpallur Ferit Merkaj, aktualisht Shef i Seksionit të Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, ndërsa në kërkim është shpallur edhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.
“Pas ngjarjes së ndërtimit të një objekti pa leje në Himarë 5 katësh, i cili u shemb nga IKMT dhe veprimet e para proçedurale u kryen nga Policia e Shtetit dhe arrestuan në flagrancë poseduesin e ndërtesës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të përgjegjësive të punonjësve të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë rast, ku konkretisht;
Nga hetimet e kryera deri më tani, rezulton se në këtë ngjarje është përfshirë zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë, konkretisht janë katër punonjës të Policisë së Shtetit, ndaj të cilëve po procedohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
Emiljano Prenga, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Divjakë, më parë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
Klodian Petani, me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, më parë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
Ferit Merkaj, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve, DVP Vlorë, më parë Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
Redin Çaushaj, me detyrë SPZ, Komisariati i Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve procedurale, dy prej punonjësve të shpallur në kërkim janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativë, ndërsa dy punonjësit e tjerë nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimeve ende nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse.
Për dy punonjësit e tjerë janë kryer procedurat për shpalljen e tyre në kërkim.
AMP vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe dokumentimin e përgjegjësive ligjore“, njofton AMP.
Arrestimet vijnë pas konstatimit të ndërtimit të një objekti pesëkatësh të ndërtuar pa leje në Himarë, pronari i të cilit është arrestuar më herët në flagrancë nga Policia e Shtetit.
Gjatë ditës së djeshme, katër efektivët e Komisariatit të Himarës u pezulluan nga detyra, pas zbulimit të objektit 5-katësh pa leje në Qeparo. Vendimi u mor nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Skënder Hita. Katër punonjësit, pjesë e zinxhirit komandues dhe strukturës përgjegjëse për zonën, u vunë po ashtu nën hetim disiplinor lidhur me ndërtimin pa leje.
Më herët, gjatë ditës së djeshme kryetari i Bashkisë së Himarës Vangjel Tavo e shkriu drejtorinë e IMT-së. Tavo, në një intervistë për Klan News deklaroi se shkrirja e kësaj drejtorie ishte e nevojshme, pasi struktura nuk kishte përmbushur detyrën dhe se çdo hallkë e institucionit kishte neglizhuar rastin.
Objekti ishte ndërtuar në vendin e quajtur “Sugë”, në Qeparo. Sipas Policisë, objekti kishte një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë.




