Zjarri vijon me intensitet të lartë në Drenie të Patosit, flakët marrin drejtim nga Gjinoqari dhe Ngraçia
Vijon me intensitet të lartë zjarri në zonën e Drenies, në Bashkinë Patos, ku situata në terren mbetet e vështirë për shkak të erës së fortë.
Dhjetëra forca zjarrfikëse janë angazhuar në operacionin për shuarjen dhe izolimin e flakëve, ndërsa në ndërhyrje po marrin pjesë edhe avionët, të cilët po hedhin ujë në zonat e prekura nga zjarri.
Sipas situatës në terren, flakët po marrin drejtim nga Gjinoqari në drejtim të Ngraçies, të favorizuara nga era e fortë, e cila po ndihmon në përhapjen e shpejtë të zjarrit.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën intensivisht për të frenuar avancimin e flakëve dhe për të shmangur përhapjen e tyre drejt zonave të tjera.
Situata po monitorohet në vijimësi, ndërsa ndërhyrja në terren vijon për vënien nën kontroll të kësaj vatre zjarri.




