Qiratë e papërballueshme ‘përzënë’ familjet e reja nga Tirana, mesatarja arrin 721 euro në muaj

Qiratë e larta në Tiranë po detyrojnë gjithnjë e më shumë familje të reja të kërkojnë alternativa banimi jashtë kryeqytetit. Në fillim të muajit korrik, qiraja mesatare për apartamentet e banimit në Tiranë arriti në 721 euro në muaj, sipas të dhënave të transaksioneve të agjencisë imobiliare CPM, të publikuara nga Monitor.
Me këtë nivel qiraje, një individ duhet të shpenzojë rreth 77% të pagës mesatare mujore bruto, ndërsa pas taksave dhe kontributeve, kostoja e qirasë arrin në rreth 97% të të ardhurave neto.
Për shumë familje të shtresës së mesme, situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi përveç qirasë duhet të përballojnë edhe ushqimet, transportin, energjinë, shkollat dhe shpenzimet e tjera të jetesës.
Për këtë arsye, një pjesë e familjeve të reja që punojnë në Tiranë po zgjedhin të jetojnë në qytete të tjera, duke udhëtuar çdo ditë drejt kryeqytetit.
Sipas Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International Albania, Elbasani dhe Durrësi janë ndër alternativat që po preferohen gjithnjë e më shumë nga familjet që nuk mund të përballojnë kostot e banimit në Tiranë.
Në Elbasan, qiratë mund të jenë rreth 30–40% më të ulëta se në kryeqytet, ndërsa Durrësi vijon të ketë çmime më të larta për shkak të kërkesës së madhe dhe ndikimit të turizmit.
Ekspertët vlerësojnë se kostoja e banimit po ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si qytetarët zgjedhin vendbanimin. Transporti dhe trafiku mbeten sfida për ata që jetojnë jashtë Tiranës, por kursimi në qira po i shtyn shumë familje ta konsiderojnë këtë një kompromis të pranueshëm.
Fenomeni i zhvendosjes drejt qyteteve përreth kryeqytetit pritet të forcohet nëse çmimet e qirave në Tiranë vijojnë të rriten, duke ndryshuar gradualisht edhe hartën e banimit të familjeve të reja në Shqipëri. / MONITOR




