PD Fier drejt zgjedhjes së kryetarit të ri, Gentian Koçi zyrtarizon kandidaturën

Pas pak ditësh, demokratët e Fierit pritet të hyjnë në procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës së Partisë Demokratike. Në këtë garë ka zyrtarizuar kandidaturën e tij edhe Gentian Koçi, i cili përmes një deklarate publike ka bërë të ditur arsyet e kandidimit dhe vizionin e tij për drejtimin e PD Fier.
Koçi shprehet se Partia Demokratike në Fier nuk ka nevojë për një garë që krijon ndarje dhe përplasje brenda strukturave, por për një proces që rikthen besimin dhe forcon demokratët përballë kundërshtarit politik.
Sipas tij, kandidatura nuk vjen si një kërkesë për një post drejtues, por nga bindja se dega e PD Fier mund të funksionojë në një mënyrë më të hapur, më pranë anëtarësisë dhe më e pranishme në çdo lagje, fshat dhe komunitet të qytetit dhe qarkut.
“Demokratëve nuk u mjaftojnë më fjalët e bukura dhe premtimet për bashkim. Bashkimi provohet me sjellje, me respekt, me përfshirje dhe me garanci se askush nuk do të përjashtohet vetëm sepse mendon ndryshe”, shprehet Koçi.
Kandidati për kryetar të PD Fier thekson se synimi i tij është ndërtimi i një dege ku vendimmarrja të mos jetë e përqendruar në një rreth të ngushtë dhe ku kontributi i anëtarëve të mos matet mbi bazën e miqësive personale.
Koçi kërkon që PD Fier të rikthehet, sipas tij, në një strukturë të hapur për çdo demokrat dhe në një alternativë politike për qytetarët që kërkojnë ndryshim.
“PD Fier duhet të rikthehet në shtëpinë e çdo demokrati dhe në shpresën e çdo qytetari që kërkon ndryshim”, deklaron ai.
Në përfundim të deklaratës së tij, Gentian Koçi apelon që gara për drejtimin e degës të zhvillohet me dinjitet dhe pa përçarje, duke e cilësuar kandidaturën e tij si një garë “jo kundër dikujt, por në krah të çdo demokrati”.
“Jo për të administruar humbjet, por për të përgatitur fitoren”, shprehet Koçi, duke e mbyllur deklaratën me thirrjen: “Fjalën e kanë demokratët e Fierit!”.
Postimi i plotë i Koçit:
“Pas pak ditësh, demokratët e Fierit pritet të hyjnë në procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës.
Partia Demokratike e Fierit nuk ka nevojë për një garë që prodhon fitues dhe të mundur brenda familjes sonë politike.
Ka nevojë për një proces që rikthen besimin dhe na bën të gjithëve më të fortë përballë kundërshtarit të vërtetë.
Kandidatura ime nuk lind nga dëshira për një post. Lind nga bindja se dega jonë mund dhe duhet të funksionojë ndryshe: më e hapur, më pranë anëtarësisë dhe më e pranishme në çdo lagje, fshat e komunitet të Fierit.
Kam respekt për cilindo që merr përgjegjësinë të hyjë në këtë garë. Por demokratëve nuk u mjaftojnë më fjalët e bukura dhe premtimet për bashkim. Bashkimi provohet me sjellje, me respekt, me përfshirje dhe me garanci se askush nuk do të përjashtohet vetëm sepse mendon ndryshe.
Unë kërkoj besimin e demokratëve për të ndërtuar një degë ku vendimet nuk merren nga një rreth i ngushtë, ku kontributi nuk matet me miqësi personale dhe ku dera nuk hapet vetëm në prag zgjedhjesh.
PD Fier duhet të rikthehet në shtëpinë e çdo demokrati dhe në shpresën e çdo qytetari që kërkon ndryshim.
Kjo është arsyeja pse jam në këtë garë.
Jo kundër dikujt, por në krah të çdo demokrati.
Jo për të administruar humbjet, por për të përgatitur fitoren.
Le ta zhvillojmë këtë garë me dinjitet dhe ta mbyllim më të bashkuar se sa hymë në të.
Fjalën e kanë demokratët e Fierit!”




