Vau i Dejës/ Dy persona bien në kontakt me rrymën elektrike, njëri humb jetën

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, mbrëmjen e kësaj të shtune, 29 gusht, ku dy persona dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të një lokali bar-kafe.
Sipas informacionit paraprak të policisë, ngjarja ka ndodhur teksa 40-vjeçari S. P., i cili punonte si roje i lokalit në pronësi të shtetasit Gj. S., dhe 46-vjeçari D. D., me profesion elektricist, kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Si pasojë e kontaktit me rrymën, 40-vjeçari S. P. (roja i lokalit) ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital.
Ndërkohë, 46-vjeçari D. D. (elektricist) ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim mjekësor.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në incidentin tragjik.




