Vlorë/ “Gjobë” 5 milionë euro dhe kërcënim për largim nga Shqipëria, policia zbardh ngjarjen në Radhimë – 5 të arrestuar
Detaje të reja janë bërë publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e sotme në Radhimë, ku biznesmeni Vasil Bedinaj deklaroi se ishte dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i DVP Vlorë, Drejtues Edvin Ndreu, bëri të ditur se policia u njoftua rreth orës 11:30 nga pronari i një hoteli në Radhimë, i cili kërkoi ndihmë pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë.
Pas njoftimit, policia ngriti pika kontrolli në hyrje-daljet e Vlorës dhe në Dhërmi, ndërsa kontrolle u vendosën edhe në qarqet Fier dhe Gjirokastër.
Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe vijoi në drejtim të Peshkëpisë. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, automjeti doli nga rruga dhe goditi barrierat mbrojtëse.
Në automjet ndodheshin Luan Muça, drejtuesi i mjetit, si dhe vëllezërit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”.
Nga aksidenti u dëmtuan Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj, të cilët u dërguan në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë luftarakë.
Ndërkohë, rreth orës 13:00, shërbimet e DVP Fier ndaluan në Mbikalimin e Memorialit një automjet të shpallur në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta. Në automjet u konstatuan dëmtime në xhamin e pasagjerit, që dyshohet se janë shkaktuar nga të shtënat me armë zjarri. Brenda mjetit u gjetën edhe tre fishekë pistolete.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm u regjistrua rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, pranë fshatit Kaninë, ku u gjet duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se është përdorur nga autorët e ngjarjes.
“Gjobë” 5 milionë euro
Sipas policisë, nga veprimet hetimore të kryera deri tani dyshohet se Luan Muça, së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të Vasil Bedinajt, ku, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh.
Sipas deklaratës së policisë, Bedinaj është kërcënuar gjithashtu se, nëse nuk përmbushte kërkesën, brenda 48 orësh duhej të largohej nga Shqipëria.
Nga ana tjetër, policia thotë se shtetasi Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i Vasil Bedinajt, ka marrë armën e zjarrit që ky i fundit e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin në vendngjarje.
5 të arrestuar, 6 në kërkim
Në përfundim të veprimeve policore janë arrestuar në flagrancë:
- Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;
- Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;
- Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
- Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;
- Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Ndërkohë, 6 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa policia ka shpallur në kërkim edhe 4 automjete që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Edvin Ndreu – deklaratë për median
Përshëndetje!
Siç jeni bërë me dije nëpërmjet informacionit paraprak, sot, rreth orës 11:30, jemi njoftuar nga pronari i një hoteli në Radhimë, konkretisht nga shtetasi V. B., se kishte nevojë për ndihmë, pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë dhe janë nisur në drejtim të adresës së dhënë.
Duke vlerësuar maksimalisht informacionin e marrë, u ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Vlorës dhe në Dhërmi. Gjithashtu, menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë.
Ndërkohë, u bashkëpunua me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Fier për ngritjen e pikave të kontrollit edhe në këto territore.
Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet fuoristradë, tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind shërbimeve të Policisë për të ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, ky automjet ka dalë nga rruga, duke goditur barrierat mbrojtëse të saj.
Në këtë automjet ndodheshin tre shtetas, konkretisht shtetasi Luan Muça, drejtues i automjetit, dhe dy pasagjerët, shtetasit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”.
Si pasojë e daljes nga rruga, shtetasit Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj janë dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë.
Rreth orës 13:00, pika e kontrollit e ngritur nga shërbimet e DVP Fier, në vendin e quajtur Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një nga automjetet e shpallura në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta.
Nga këqyrja dhe kontrolli i automjetit u konstatua se kishte dëmtime në xhamin nga krahu i pasagjerit, të shkaktuara, dyshohet, me armë zjarri. Në brendësi të automjetit u gjetën tre fishekë pistolete.
Rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, afër fshatit Kaninë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se është përdorur nga autorët në ngjarje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.
Ndërkohë, shtetasi Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;
- Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;
- Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
- Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;
- Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.




