Fier/ Shkuan me makinat e tyre private për të evakuuar banorët, policëve u shkrumbohen automjetet nga zjarri në Levan
Dy punonjës të Policisë së Fierit kanë humbur automjetet e tyre personale, pasi i vunë në dispozicion të operacionit për përballimin e situatës së rëndë të krijuar nga zjarri që përfshiu zonën e Vadhizës dhe më pas u përhap me shpejtësi në territorin e Njësisë Administrative Qendër.
Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, më 4 shtator, për shkak të situatës emergjente dhe rrezikut për banorët, disa punonjës të DVP Fier dhe Komisariatit të Policisë Fier u nisën drejt zonës së rrezikut me automjetet e tyre private, për të ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme në terren.
Por përhapja e shpejtë e flakëve, e favorizuar nga kushtet e vështira, bëri që dy prej automjeteve private të policëve të përfshiheshin nga zjarri.
Bëhet fjalë për automjetet personale të nënkomisarit A.V., i angazhuar me veprimet hetimore, dhe inspektorit A.R., i cili ishte angazhuar në evakuimin e banorëve të rrezikuar.
Të dy automjetet u shkrumbuan plotësisht nga flakët, ndërsa punonjësit e Policisë ndodheshin në zonën e rrezikut duke kryer detyrat e tyre.
Ngjarja tregon edhe një tjetër dimension të situatës dramatike të krijuar nga zjarri në zonën e Fierit, ku krahas dëmeve të mëdha të shkaktuara në banesa, biznese dhe sipërfaqe bujqësore, flakët nuk kursyen as automjetet e efektivëve që kishin shkuar në ndihmë të banorëve.




