Vlorë/ Arrestohet 52-vjeçari, dyshohet se i vuri zjarrin ullinjve në Petë
Një 52-vjeçar është arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr më 6 korrik 2026 në zonën e “Qafës së Petës”, në fshatin Petë.
Pas hetimeve intensive, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë identifikuan si autor të dyshuar shtetasin A. S., 52 vjeç, banues në fshatin Mallkeq, i cili u arrestua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër, si dhe pemë ulliri.
Gjatë shoqërimit të 52-vjeçarit, dy familjarë të tij, R. S., 62 vjeç dhe I. S., 35 vjeç, banues në Mallkeq, dyshohet se kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke penguar kryerjen e detyrës, dhe më pas janë larguar.
Për këtë arsye, dy shtetasit janë shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.




