Tropojë/ Një i vd*kur dhe tre të plagosur rëndë, punonjësit e bashkisë bien në kontakt me energjinë elektrike

Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur mesditën e sotme në Tropojë, ku katër punonjës të Bashkisë Tropojë kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike gjatë punës në rrugën e Dubravës.
Sipas informacioneve paraprake, një prej punonjësve, i identifikuar nga denoncuesit si Muhamet Sylisufi, dyshohet se ka humbur jetën. Tre punonjësit e tjerë raportohet se kanë pësuar dëmtime të rënda dhe ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë punimeve pranë linjave elektrike. Zona ishte bërë më herët objekt shqetësimesh nga banorët për punimet dhe prerjen e pemëve pranë rrjetit elektrik.
Pas interesimit të redaksisë, Policia e Tropojës ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur, ndërsa pritet që autoritetet të japin detaje të mëtejshme për rrethanat e saj.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe shkaqet që çuan në kontaktin me energjinë elektrike.




