Sarandë/ I arrestuari dëmton kamerën dhe orenditë në dhomën e ndalimit, pezullohen 3 policë – reagon Drejtoria e Policisë Vlorë

Sarandë – Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka reaguar lidhur me një ngjarje të raportuar në rrjetet sociale, e ndodhur në ambientet e dhomave të ndalimit në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Sipas policisë, në dhomat e ndalimit ndodhej shtetasi D. S., i arrestuar në zbatim të një vendimi gjykate për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”.
Gjatë qëndrimit në ambientet e ndalimit, D. S. ka shfaqur shenja të një gjendjeje të rënduar emocionale dhe sjellje agresive. Sipas Policisë së Vlorës, ai ka dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës, si dhe një karrige dhe një tavolinë.
Për situatën është njoftuar menjëherë urgjenca e spitalit dhe shtetasi ka marrë ndihmën mjekësore. Paralelisht, është njoftuar edhe Prokuroria dhe janë kryer veprimet procedurale përkatëse.
Ndërkohë, në kuadër të verifikimit të plotë të rrethanave dhe përgjegjësive eventuale, 3 punonjës policie janë pezulluar nga detyra, pasi, sipas policisë, nuk kanë reaguar në momentin kur shtetasi D. S. ka dëmtuar kamerën dhe orenditë e dhomës së ndalimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë bën me dije se verifikimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë eventuale.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur gjithashtu procedura disiplinore ndaj tre punonjësve të policisë të pezulluar nga detyra.




