Protesta e banorëve të Patos-Marinëzës/ Pas muajsh protestash, qiratë e tokave do të vijojnë pa ndryshime
PATOS-MARINËZË – Pas disa muajsh protestash, banorët e zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëzë kanë zhvilluar sot një takim me përfaqësues të kompanisë Bankers Petroleum, ku në fokus kanë qenë kontratat dhe pagesat për tokat e tyre.
Prej muajsh, banorët kanë protestuar kundër ndryshimit të kushteve të kontratave të qirasë, duke kërkuar që pagesat për tokat e tyre të vijojnë sipas marrëveshjeve ekzistuese. Ditët e fundit protesta u përshkallëzua, me banorët që u futën edhe në ambientet e kompanisë për të kërkuar një zgjidhje.
Takimi i zhvilluar sot ka sjellë një rezultat që banorët e konsiderojnë pozitiv. Sipas tyre, për këtë vit nuk do të ketë ulje të pagesës dhe kontratat do të vijojnë me të njëjtat kushte si më parë.
Banorët bëjnë me dije se firmosja e kontratave do të nisë sipas radhës dhe pagesat do të kryhen për një periudhë njëvjeçare.
“U zhvillua takimi me përfaqësuesit e kompanisë. U diskutua edhe për uljen e shumës, por ne nuk pranuam. Në fund u vendos që për këtë vit të vazhdojmë me kontratën siç ka qenë. Firmosja do të fillojë sipas radhës dhe do të marrim pagesën për një vit”, shprehet një prej banorëve.
Për vitin e ardhshëm, sipas banorëve, do të zhvillohen negociata të reja me kompaninë për kushtet dhe vlerën e kontratave.
“Për vitin tjetër do të ketë negociata të tjera. Për këtë vit nuk ndryshon asgjë, do të vazhdojë siç ka qenë”, shprehet një tjetër banor.
Pas përfundimit të takimit, banorët kanë falënderuar edhe mediat që kanë ndjekur protestën e tyre gjatë gjithë kësaj periudhe dhe kanë përcjellë kërkesat e tyre për publikun.
“Falënderojmë median që ka qenë pranë nesh dhe ka pasqyruar protestën dhe kërkesat tona gjatë gjithë kësaj kohe”, u shprehën banorët.
Për banorët, marrëveshja e arritur sot shënon një hap drejt zgjidhjes së situatës, pas muajsh protestash lidhur me qiratë e tokave në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëzë.




