Fier/ Zbardhen disa vjedhje banesash, 3 persona në pranga – dyshohet se vepronin në Fier dhe Gjirokastër
Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Fierit, të dyshuar si autorë të disa vjedhjeve të banesave në zonën e Patosit. Operacioni policor është koduar “Shëtitësit” dhe është finalizuar pas një pune intensive hetimore.
Në pranga janë vënë Fation Gjojdeshi, 43 vjeç, Ismail Isomati, 41 vjeç, dhe Dorian Alikaj, 31 vjeç, të dyshuar si autorë të disa vjedhjeve dhe tentativave për vjedhje.
Të tre u kapën në flagrancë në qendër të Patosit, ndërsa lëviznin me një automjet. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej tyre iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e shtetasit D. A., ku u gjet dhe sekuestrua një tjetër sasi cannabis sativa.
Sipas hetimeve, tre të arrestuarit dyshohet se më 5 dhe 6 gusht, në lagjen “1 Maji” dhe në fshatin Dukas të Patosit, kanë vjedhur dy banesa. Nga këto vjedhje, dyshohet se kanë marrë bizhuteri floriri, 3500 euro dhe dy telefona celularë.
Ndërkohë, më 9 shtator, ata dyshohet se kanë tentuar të vjedhin edhe dy banesa në fshatin Zharrëz, Patos.
Policia po vijon hetimet në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë, për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale të tre personave dhe për të zbardhur raste të tjera vjedhjesh në qarkun Fier dhe Gjirokastër.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.




