Edi Rama në Vlorë, takim me strukturat e PS dhe qytetarët: Në fokus reforma territoriale dhe organizimi i pushtetit vendor
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë të shtunë në Vlorë, ku po zhvillon një takim me strukturat e Partisë Socialiste dhe qytetarë të qytetit në ambientet e Pallatit të Kulturës.
Në takim Rama shoqërohet nga ministri Arbjan Mazniku, ministri Petrit Malaj dhe koordinatori politik i Qarkut Vlorë, Bledi Çuçi.
Në qendër të diskutimeve është reforma territoriale, mënyra e organizimit të pushtetit vendor dhe funksionimi i administratës lokale. Çështja e ndarjes territoriale dhe nevoja për një organizim më efikas të njësive vendore pritet të jenë ndër temat kryesore të këtij bashkëbisedimi.
Gjatë takimit pritet të ngrihen edhe problematika konkrete të qytetarëve të Vlorës dhe të Qarkut, si dhe prioritetet për zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Bashkëbisedimi zhvillohet në kuadër të konsultimeve të mazhorancës me strukturat lokale dhe qytetarët, në një kohë kur reforma territoriale është rikthyer në qendër të diskutimit politik.




