Patos/ Dëgjesa përfundimtare publike për Reformën Territoriale
Ka nisur në Patos dëgjesa përfundimtare publike në kuadër të procesit të Reformës Administrative-Territoriale.
Në fokus të takimit është riorganizimi i njësive të qeverisjes vendore dhe propozimet që lidhen me të ardhmen administrative të Bashkisë Patos. Dëgjesa zhvillohet në kuadër të konsultimit me qytetarët, përfaqësuesit vendorë dhe grupet e interesit, përpara përfundimit të këtij procesi.
Gjatë takimit pritet të paraqiten argumentet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të pushtetit vendor, ndërsa qytetarët kanë mundësinë të shprehin opinionet dhe shqetësimet e tyre lidhur me ndryshimet e propozuara.
Një nga çështjet kryesore që ka shoqëruar diskutimet për Patosin është propozimi për ndryshimin e statusit të bashkisë dhe përfshirjen e saj në një strukturë më të madhe administrative. Banorë dhe përfaqësues vendorë kanë shprehur më herët qëndrime kundër bashkimit me Bashkinë Fier, duke kërkuar që Patosi të vijojë të jetë njësi e veçantë e qeverisjes vendore.
Dëgjesa e sotme konsiderohet një nga fazat përmbyllëse të konsultimit publik, ku qëndrimet e shprehura nga komuniteti do t’i përcillen institucioneve përgjegjëse për Reformën Administrative-Territoriale.




