Apolonia i rikthehet normalitetit pas zjarrit, monumentet dhe muzeu mbeten të paprekura
Parku Arkeologjik i Apolonisë i është rikthyer normalitetit, një ditë pas zjarrit që përfshiu kodrat e Pojanit dhe rrezikoi zonat përreth sitit arkeologjik.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe bimësia e thatë, u përhapën me shpejtësi në kodrat përreth parkut, duke përfshirë sipërfaqe me ullinj dhe bimësi. Zjarri u afrua deri në zonën e kodrës së Akropolit, duke krijuar rrezik për përhapjen e flakëve drejt territorit të Parkut Arkeologjik.
Për disa orë, dhjetëra forca zjarrfikëse nga Fieri, Berati, Albpetroli dhe bashki të tjera punuan për izolimin e vatrave. Në operacion u përfshinë edhe punonjësit e parkut, emergjencat civile dhe banorë të zonës, ndërsa ndërhyrja u mbështet edhe nga ajri me helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes.
Pavarësisht terrenit të vështirë dhe erës së fortë, flakët u vunë nën kontroll gjatë orëve të vona të mbrëmjes, duke shmangur përhapjen e zjarrit në pjesën monumentale të Apolonisë.
Drejtoresha e Parkut Arkeologjik Apoloni, Ornela Dyrmishi, bëri me dije se qendra monumentale, manastiri dhe muzeu arkeologjik kanë mbetur të paprekura nga flakët.
Sot, një ditë pas zjarrit, në Apoloni mbizotëron qetësia. Parku ka vijuar aktivitetin normal dhe vizitorët, përfshirë turistë të huaj, kanë vijuar të vizitojnë monumentet dhe hapësirat e sitit arkeologjik.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për shkaqet e zjarrit, ndërsa Policia e Fierit ka ndaluar tre shtetas të dyshuar për zjarrvënie.




