Shkëndija elektrike dyshohet se shkaktoi zjarrin ku humbi jetën 71-vjeçari në Fier
FIER – Detaje të reja janë zbardhur lidhur me zjarrin tragjik të regjistruar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Fermë Çlirim të Fierit, ku humbi jetën një 71-vjeçar, i cili jetonte i vetëm.
Burime pranë Komisariatit të Policisë Fier bëjnë me dije se shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar zyrtarisht, ndërsa një nga pistat kryesore që po hetohet është një shkëndijë elektrike.
Dyshimet lidhen me faktin se në banesë nuk është konstatuar prania e bombolës së gazit, ndërsa familjarët kanë deklaruar se i moshuari përdorte pajisje elektroshtëpiake të vjetëruara.
Zjarri ka shkrumbuar plotësisht banesën, duke e bërë të vështirë punën e ekspertëve. Pajisjet elektroshtëpiake dhe sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike janë dëmtuar rëndë nga flakët, ndaj deri në këto momente nuk janë siguruar të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar me saktësi origjinën e zjarrit.
Për këtë arsye, grupi hetimor po kryen këqyrje të detajuara të vendit të ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut që solli zjarrin fatal.
Në kuadër të hetimeve janë marrë edhe dëshmitë e të afërmve të 71-vjeçarit, të cilët kanë treguar se ai jetonte prej vitesh i vetëm në banesë.
Viktima ishte baba i dy vajzave dhe një djali, të cilët jetonin në qytetin e Vlorës.
Trupi i 71-vjeçarit u gjet i karbonizuar brenda banesës pas shuarjes së flakëve.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përfundimisht shkakun e zjarrit.




