Fier/ Ndezi zjarrin për djegien e mbeturinave, arrestohet 31-vjeçari në Kreshpan
FIER – Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në një tokë që kishte marrë me qira në fshatin Kreshpan, Fier.
Sipas Policisë, gjatë hetimeve për zjarrin e rënë ditën e djeshme në Kreshpan, është dokumentuar se shtetasi Anesti Tahiraj, 31 vjeç, banues në Kreshpan, dyshohet se kishte ndezur zjarrin për të djegur mbeturina.
Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur në sipërfaqe të tjera toke në fshat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan shërbimet e Policisë së Fierit, 4 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Pas ndërhyrjes, u bë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit, ndërsa fatmirësisht nuk pati pasoja për jetën e njerëzve apo banesat.
Në përfundim të veprimeve hetimore, 31-vjeçari u arrestua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Policia u bën apel qytetarëve, veçanërisht banorëve që kryejnë pastrimin e tokave apo djegin mbetje bujqësore, që të shmangin përdorimin e zjarrit, pasi në kushtet e erës flakët mund të përhapen me shpejtësi dhe të shkaktojnë dëme të mëdha në prona dhe mjedis.




