Zjarri masiv në Gorishovë, autori një 78-vjeçar, dyshohet se dogji mbeturina në ullishte
Zjarri masiv që përfshiu mesditën e sotme kodrat me ullishte në Gorishovë të Njësisë Administrative Cakran, në Bashkinë Fier, dyshohet se është shkaktuar nga një 78-vjeçar, banor i fshatit.
Sipas të dhënave paraprake, 78-vjeçari Pajtim Muçaj kishte ndezur zjarr për djegien e mbeturinave të ullishtes në tokën e tij. Për shkak të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur me shpejtësi në zonën përreth.
Zjarri përfshiu sipërfaqe me ullishte, shkurre dhe masiv pyjor, ndërsa terreni i thyer ka vështirësuar ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.
Fatmirësisht, flakët ndodhen larg zonës së banuar dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Ky është zjarri i dytë masiv në zonën e Cakranit brenda dy ditësh. Ditën e djeshme, zjarri në kodrat e Kreshpanit shkaktoi dëme të mëdha, duke djegur rreth 2 mijë rrënjë ullinj dhe një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.




