Vijon situata e rëndë në rezervuarin e Kasharajt në Lushnje, vijojnë ndërhyrjet për zhbllokimin e shkarkuesit
Situata në rezervuarin e Kasharajt në Lushnje vijon të mbetet e rëndë, ndërsa pavarësisht mobilizimit të forcave të ushtrisë, Bashkisë Lushnje dhe strukturave të Ministrisë së Bujqësisë, ende nuk është shënuar një përmirësim i ndjeshëm i situatës së krijuar.
Gjatë ditës së sotme, ndërhyrja është përqendruar kryesisht në zhbllokimin e shkarkuesit të rezervuarit, ku po përdoren edhe mjete të specializuara të vëna në dispozicion nga Albpetrol.
Puna vijon me agregate për pompimin e ujit drejt shkarkuesit, ndërsa një prej vështirësive kryesore mbetet saraçineska e presionit të lartë, e cila është e dëmtuar dhe po shkakton vonesa në procesin e ndërhyrjes.
Në të njëjtën kohë, strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, përmes sektorit të veterinarisë, kanë nisur dezinfektimin e sipërfaqes së ujit, e cila është e mbuluar nga një sasi e konsiderueshme peshqish të ngordhur. Ky proces synon të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjeve dhe ndotjes së mëtejshme të zonës.
Paralelisht me këto dy ndërhyrje kryesore, vijon puna me eskavatorë për hapjen dhe sistemimin e rrugës së aksesit, ku pritet të kalojnë mjetet e rënda që do të angazhohen në pastrimin e baltës dhe mbetjeve brenda rezervuarit.
Autoritetet vijojnë ndërhyrjet në terren, ndërsa situata mbetet nën monitorim për shkak të përmasave të dëmit mjedisor të shkaktuar në rezervuarin e Kasharajt.




