“Dua të kaloj direkt në universitet”, 15-vjeçari Roald Dyrmishi, talenti fierak që spikat në matematikë, sport dhe art

Roald Dyrmishi, 15-vjeçari nga Fieri, është një prej nxënësve që ka spikatur për rezultatet e tij në matematikë, por edhe për pasionet e shumta që zhvillon jashtë shkollës.
I ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, në MCN TV, Roaldi ka rrëfyer për sukseset e tij, pasionet dhe ambiciet për të ardhmen.
Përveç matematikës, gjatë kohës së lirë 15-vjeçari tregon se i pëlqen të luajë tenis dhe basketboll. Ai ka gjithashtu një tjetër pasion, pikturën, ndërsa merret edhe me poezi, duke shkruar vetë vargjet e tij.
Roaldi është vlerësuar edhe për arritjet e tij në shkollë. Ai ka marrë tre dekorata mirënjohjeje nga kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, gjatë mbrëmjeve të organizuara për nxënësit ekselentë të qytetit.
15-vjeçari është shpallur dy herë fitues i çmimit “Nxënësi më i mirë i vitit”, duke konfirmuar rezultatet e tij të larta në arsim.
Por ambicia e Roaldit shkon edhe më tej. Duke folur për planet e tij akademike, ai është shprehur:
“Dua të kaloj direkt në universitet.”
Një talent i ri nga Fieri, që krahas matematikës po zhvillon edhe pasionet e tij në sport, pikturë dhe poezi, ndërsa synon të hedhë sa më shpejt hapin drejt universitetit./MCN




