Vdekja e Mazonakis, avokati hedh dyshime mbi dëshminë e vajzës së mjekëve: Mund të jetë strategji mbrojtjeje!

Avokati i familjes së Giorgos Mazonakis, Charalambos Lykoudis, ka vënë në pikëpyetje dëshminë e vajzës 19-vjeçare të dy mjekëve të ndaluar, duke pretenduar se deklaratat e saj mund të jenë pjesë e strategjisë së mbrojtjes së prindërve të saj në çështjen që lidhet me vdekjen e këngëtarit grek. Duke folur për televizionin MEGA, Lykoudis iu referua dëshmisë së dhënë nga 19-vjeçarja para hetuesit më 9 tetor. Sipas raportimeve, e reja ka deklaruar se i ishte nënshtruar dy herë procedurës së plazmaferezës nga nëna e saj, e cila është një prej mjekeve të përfshira në çështje.
Avokati theksoi se përpara se deklarata të merret si provë, duhet të shqyrtohen dokumentet dhe faktet që e mbështesin atë. Sipas tij, dëshmia mund të synojë të dobësojë pretendimet për mashtrim që i atribuohen mjekes. “E kuptoj që vajza e tyre është thirrur dhe rekrutuar për të mbrojtur prindërit e saj. Për mua është e kuptueshme dhe njerëzore. Duhet ta dini që Kodi Penal e kupton këtë nevojë që disa të afërm të dëshmojnë, edhe nëse është e rreme, dhe për këtë arsye në këtë rast mund t’i përjashtojë ata nga çdo dënim. Nuk mund t’ju them saktësisht mendimet e mia nëse nuk shoh se çfarë është dëshmuar saktësisht në një dokument”, u shpreh Lykoudis.
Ai shtoi se duhet të verifikohet nëse deklarimet e 19-vjeçares mbështeten nga prova konkrete dhe nëse përputhen me faktet e çështjes. “Nëse informacioni gazetaresk është i vërtetë, duhet të shohim me çfarë provash mbështetet kjo dëshmi. Domethënë, nëse një person thotë ‘Unë e bëra këtë gjë’, si e mbështet ai atë? Dhe le të shohim edhe qëllimin. Natyrisht, qëllimi është specifik, është i dhënë. Ai i shërben strategjisë mbrojtëse të të dy prindërve”, deklaroi avokati.
Lykoudis pretendoi gjithashtu se dëshmia mund të synojë të zbusë akuzat ndaj nënës së 19-vjeçares, por theksoi se mbetet për t’u parë nëse deklaratat pasqyrojnë realitetin apo janë pjesë e mbrojtjes ligjore. “Ajo dëshiron të dobësohet, të zvogëlojë intensitetin e mashtrimit të nënës së saj. Dua të shoh nëse është e vërtetë apo një konstruksion mbrojtës”, tha ai.
Në deklaratat e tij, avokati ngriti edhe çështjen e ligjshmërisë së procedurave mjekësore, duke theksuar se fakti që një mjek kryen një praktikë te fëmija i vet nuk e bën automatikisht atë të ligjshme. Ai iu referua gjithashtu dyshimeve lidhur me mungesën e historikut mjekësor të Giorgos Mazonakis, duke pretenduar se kjo është një prej elementeve që po shqyrtohen në hetim. “Një sërë aktesh kriminale u kryen kundër Giorgos Mazonakis, ndër të cilat ishte se ai nuk arriti të merrte historinë e tij mjekësore. Ja, çfarë duhet kërkuar te vajza e saj, historinë mjekësore e di. Ajo është nëna e saj”, u shpreh Lykoudis. Ndërkohë, në ditët në vijim priten rezultatet e analizave të kërkuara nga këshilltari teknik i familjes Mazonakis. Sipas avokatit, ekzaminimet po kryhen në bashkëpunim me një laborator në Gjermani dhe përfshijnë analizimin e 1 600 substancave. Rezultatet pritet t’i vihen në dispozicion hetuesit në kuadër të zbardhjes së plotë të çështjes.




