TRAGJIKE NË GJIROKASTËR/ Humb jetën 45-vjeçari, makina e të cilit shpërtheu në ecje

Beqir Devolli nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga shpërthimi i automjetit tip “Mercedes-Benz” mbrëmjen e së shtunës në Gjirokastër. 45-vjeçari ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së dielës, teksa po transportohej drejt Tiranës për trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në lagjen “18 Shtatori”, ku automjeti me të cilin udhëtonin Beqir Devolli dhe i riu Erigers Mela shpërtheu gjatë lëvizjes.
Si pasojë e shpërthimit, të dy personat që ndodheshin në automjet mbetën të plagosur rëndë. Pavarësisht ndihmës mjekësore, 45-vjeçari Devolli nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Ndërkohë, Erigers Mela raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë. Deri në këto momente, Policia e Gjirokastrës nuk ka dalë me një version zyrtar për rrethanat e ngjarjes. Dyshimet paraprake lidhen me mundësinë e përdorimit të lëndëve plasëse, por kjo mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet.
Gjatë orëve të para të mëngjesit, në Gjirokastër ka mbërritur edhe një grup specialistësh nga Tirana, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shpërthimi shkaktoi panik mes banorëve dhe kalimtarëve në lagjen “18 Shtatori”, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.




