36 vite pa ujë të pijshëm, Panahori i Mallakastrës kthehet në “fshatin e puseve”, banorët: Pagujmë edhe ujin që nuk na vjen
Mungesa e ujit të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit vijon të jetë një problem i pazgjidhur prej më shumë se tri dekadash për banorët e Panahorit në Mallakastër. Rreth 25 puse janë hapur me shpenzimet e vetë familjeve, ndërsa banorët presin që instalimet e reja të vihen në funksion dhe furnizimi me ujë të normalizohet.
PANAHOR, MALLAKASTËR – Banorët e fshatit Panahor në Mallakastër vijojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm, një problem që, sipas tyre, zgjat prej rreth 36 vitesh. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera për instalimin e tubacioneve të reja, furnizimi nga rrjeti i ujësjellësit ende nuk është normalizuar.
Të detyruar të gjejnë zgjidhje për të siguruar ujin për nevojat e përditshme, banorët kanë hapur puse me shpenzimet e tyre, kryesisht në zonën pranë lumit Gjanica. Megjithatë, sigurimi i ujit përmes puseve shoqërohet me kosto të vazhdueshme për energjinë elektrike, pompat dhe tubacionet.
Një prej banorëve tregon se prej 36 vitesh familjet e fshatit nuk kanë furnizim të rregullt me ujë nga rrjeti. Ai shprehet se shpresat janë te instalimet e reja, të cilat, sipas banorëve, janë kryer rreth një vit më parë.
“Ne kemi 36 vite pa ujë. Tani që janë bërë këto instalimet e reja, shpresojmë të na vijë uji, se atë po presim. Për të siguruar ujin, detyrohemi të marrim nga lumi. Me makinë hedhim fuçitë në karroceri dhe marrim ujë. Por ai ujë përdoret vetëm për nevoja të tjera, jo për të pirë”, tregon një banor.
Sipas banorëve, pas kryerjes së punimeve u është thënë se kishte probleme me tubacionet, të cilat pengonin furnizimin me ujë. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë për të përfunduar procesin dhe për ta bërë funksional rrjetin e ri.
25 puse të hapura me shpenzimet e banorëve
Mungesa e ujit nuk prek vetëm nevojat familjare, por edhe aktivitetin bujqësor, i cili përbën një burim të rëndësishëm jetese për një pjesë të banorëve të Panahorit.
Një prej tyre tregon se është detyruar të investojë rreth 22 milionë lekë për hapjen e një pusi dhe ngritjen e sistemit të furnizimit me ujë, për të përballuar nevojat e tij.
“Deri para disa vitesh, fshati ka pasur ujë. Kur u ndryshua sistemi, pati probleme dhe u ndërpre furnizimi. Ne, si banorë dhe mosha të treta, kemi vuajtur shumë nga kjo situatë. Kam bërë një pus dhe kam investuar rreth 22 milionë lekë, sepse ky fshat është në një pozicion ku ka diell nga ora pesë e mëngjesit deri në perëndim. Për këtë arsye, bujqësia këtu ka nevojë patjetër për ujë”, shprehet ai.
Sipas banorëve, në fshat janë hapur rreth 25 puse, pasi familjet nuk kanë pasur një alternativë tjetër për të siguruar ujin. Përveç investimit fillestar, ata duhet të paguajnë vazhdimisht energjinë elektrike për pompimin e ujit dhe mirëmbajtjen e pajisjeve.
“Paguajmë edhe energjinë, edhe tarifën e ujit të pijshëm”
Një tjetër shqetësim i ngritur nga banorët është fakti se, pavarësisht mungesës së furnizimit të rregullt nga ujësjellësi, ata thonë se vijojnë të paguajnë tarifën e ujit të pijshëm, krahas shpenzimeve për ujin që sigurojnë vetë.
“Pothuajse të gjithë banorët e fshatit kanë bërë puse. Janë rreth 25 puse. Për ujin që përdor, paguaj energjinë elektrike dhe paguaj edhe tarifën e ujit të pijshëm. Pra, paguaj të dyja. Shpresojmë që shteti ta zgjidhë këtë problem dhe të kemi ujë siç duhet”, shprehet një prej banorëve.
Për familjet e Panahorit, kjo situatë është kthyer në një barrë të rëndë ekonomike, veçanërisht për të moshuarit dhe pensionistët, të cilët, sipas tyre, e kanë të vështirë të përballojnë shpenzimet e vazhdueshme për sigurimin e ujit.
Banorët kërkojnë që instalimet e reja të vihen në funksion dhe furnizimi me ujë të pijshëm të rikthehet normalisht në banesat e tyre. Pas më shumë se tri dekadash pritjeje, ata thonë se kërkojnë vetëm një shërbim bazë, për të cilin pretendojnë se paguajnë, por që ende nuk e përfitojnë siç duhet.
Deri në zgjidhjen e këtij problemi, Panahori vijon të përballet me një realitet të vështirë, ku sigurimi i ujit mbetet përgjegjësi dhe shpenzim i vetë banorëve.




