Ballsh/ 52-vjeçari rrëzohet nga çatia e banesës teksa po kryente riparime

Një 52-vjeçar ka mbetur i plagosur në lagjen “5 Shkurti” në qytetin e Ballshit, pasi është rrëzuar nga lartësia teksa po riparonte çatinë e banesës së tij.
I dëmtuari është identifikuar si Festim Sulaj. Sipas informacioneve paraprake, ai po kryente punime për rregullimin e tjegullave të çatisë, kur dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar në tokë.
Si pasojë e rrëzimit, 52-vjeçari ka pësuar dëmtime fizike, kryesisht në pjesën e pasme të kokës. Pas ngjarjes, ai është transportuar në Spitalin e Ballshit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Më pas, Sulaj është dërguar në Spitalin Rajonal të Fierit për ekzaminime të mëtejshme dhe vlerësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.




