Rama: Protestat në Tiranë, “Kjo flamë nuk është studentore, por e duarve të huaja që nuk e duan Shqipërinë në BE”

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën dhe forca të huaja për nxitjen e dhunës gjatë protestave në Tiranë, duke mohuar se aktet e dhunshme përfaqësojnë studentët dhe kërkesat e tyre.
Nga një prej kioskave të djegura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rama përsëriti qëndrimin e tij se pas tensioneve në kryeqytet qëndrojnë interesa që, sipas tij, synojnë të pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë u shpreh se nuk është rastësi që protestat përkojnë me përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Ai mbështeti të drejtën e studentëve dhe sipërmarrësve për të kërkuar më shumë, por theksoi se qeveria nuk do të tërhiqet përballë dhunës.
Rama dënoi gjithashtu përfshirjen e të miturve në akte të dhunshme, duke ngritur shqetësimin për rrezikimin e jetës së tyre dhe sulmet ndaj punonjësve të Policisë.
“E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore”, deklaroi Rama, duke shtuar se situata aktuale është një sprovë për vendin dhe se, sipas tij, Shqipëria do ta kapërcejë atë.
Në përfundim, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve për durim, duke theksuar se kërkesat për përmirësimin e jetës duhet të adresohen, por jo përmes dhunës.
Deklaratat e Ramës vijnë në një klimë të tensionuar politike, pas protestave dhe përplasjeve në kryeqytet.




