AMP monitoron protestat, verifikohen pamjet për shkelje të mundshme nga policia

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimin e rasteve të dyshuara për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Sipas deklaratës për mediat, punonjës të AMP-së kanë qenë të pranishëm në terren gjatë protestave, ku kanë evidentuar raste konkrete. Gjithashtu, agjencia ka administruar pamje filmike të transmetuara nga mediat dhe të publikuara në rrjetet sociale.
Të gjitha materialet do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit për të sqaruar rrethanat e çdo rasti dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.
AMP bën me dije se për rastet e evidentuara po vijojnë veprimet ligjore, në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, ndërsa për rastet me elemente të veprave penale, procedurat vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Agjencia thekson se do të vijojë monitorimin dhe verifikimin e çdo rasti, duke garantuar paanshmërinë, llogaridhënien, zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.




