Fier/ Kanosën një 28-vjeçar për borxhin, arrestohet 34-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori
Operacioni “Këmbimi”/ 34-vjeçari u kap në flagrancë në momentin që po merrte dy automjete si shlyerje të një borxhi. Në posedim kishte edhe një pistoletë neuroparalizuese.
Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Këmbimi”, në kuadër të të cilit është arrestuar në flagrancë 34-vjeçari Feliks Sika (Halili), ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, 37-vjeçari R. M. (F.), të dy banues në Vlorë dhe me precedentë të mëparshëm penalë.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua pas kallëzimit të një 28-vjeçari, rezident në Itali, i cili pretendoi se ishte kanosur nga dy shtetas për t’u dhënë një shumë parash që ata pretendonin se ua kishte borxh.
Nga veprimet hetimore dyshohet se, në këmbim të shlyerjes së borxhit, 28-vjeçari kishte udhëzuar vëllanë e tij që t’i dorëzonte 34-vjeçarit dy automjete në qytetin e Lushnjës.
Gjatë ndërhyrjes, 34-vjeçari u kap në flagrancë duke marrë automjetet. Në posedim të tij u gjet edhe një pistoletë neuroparalizuese.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi dy automjetet dhe armën neuroparalizuese.
Ndërkohë, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 37-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




