Mjaftuan 20 minuta shi, përmbyten disa rrugë në Vlorë! Uji arrin deri në 40 centimetra
Vetëm 20 minuta reshje shiu kanë mjaftuar që disa rrugë të qytetit të Vlorës të mbulohen nga uji, duke nxjerrë sërish në pah problematikat e sistemit të kullimit dhe kanalizimeve.
Situata problematike është konstatuar në disa zona të qytetit, përfshirë lagjen “Pavarësia”, zonën pranë “Albano dhe Romina”, bibliotekës “Shefqet Musaraj”, lagjen “Muradie”, zonën historike, lagjen “28 Nëntori” dhe bulevardin “Ismail Qemali”.
Në disa akse rrugore, niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me funksionimin e hidrovorit të qytetit. Për shkak të punimeve të restaurimit, hidrovori nuk po funksionon me të katër pompat, çka ngre pikëpyetje mbi kapacitetin e tij për të përballuar reshjet.
Një tjetër problem mbetet pastrimi i kanalizimeve, pasi bllokimet mund të pengojnë largimin normal të ujërave nga rrugët.
Edhe pse reshjet zgjatën vetëm 20 minuta, pasojat u ndien në disa zona të Vlorës. Situata rikthen shqetësimin për infrastrukturën e kullimit dhe nevojën për ndërhyrje konkrete përpara reshjeve më intensive të vjeshtës dhe dimrit.




