Fier/ Pamjet e kamerave nuk evidentojnë dhunë ndaj të miturit në kopshtin nr. 10, avokati: Edukatorja nuk ka ushtruar dhunë
FIER – Pamjet e kamerave të sigurisë dhe këqyrja e fëmijës nuk kanë konfirmuar pretendimet për ushtrim dhune nga edukatorja e kopshtit nr. 10 në Fier. Kështu deklaron avokati i saj, Ervis Hadarmataj, katër ditë pas ngjarjes që u shoqërua me akuza ndaj edukatores 44-vjeçare dhe më pas me një konflikt fizik mes saj dhe nënës 29-vjeçare të fëmijës.
Sipas avokatit, nga veprimet hetimore të kryera deri më tani nuk janë evidentuar shenja dhune në trupin e të miturit, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë nuk tregojnë, sipas informacionit që ai disponon, veprime të dhunshme nga ana e edukatores.
“Janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë dhe është bërë këqyrja e fëmijës së mitur. Nga sa kam dijeni, nuk ka rezultuar asnjë veprim dhune nga edukatorja dhe nuk ka shenja dhune në trupin e fëmijës”, deklaron Hadarmataj.
Në qëndrimin e tij, avokati i referohet edhe deklarimeve të sanitares së kopshtit, e cila, sipas tij, ka pohuar gjatë veprimeve hetimore se nuk e ka parë edukatoren duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës. Hadarmataj pretendon gjithashtu se deklarimet e saj kanë pasur mospërputhje, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si lindën pretendimet për dhunë.
Avokati deklaron se nëna e fëmijës nuk i ka konstatuar vetë shenjat e pretenduara, por është njoftuar nga sanitarja e institucionit.
Ngjarja mori një tjetër përmasë pasi edukatorja u përball me një konflikt fizik me nënën e të miturit, e cila dyshohet se e dhunoi pas pretendimeve për trajtimin e fëmijës. Të dyja palët kanë bërë kallëzimet përkatëse pranë Policisë së Fierit.
Ndërkohë, fëmija vijon të frekuentojë kopshtin, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e secilës palë.
Deri në përfundimin e hetimeve, pretendimet e avokatit përfaqësojnë qëndrimin e mbrojtjes, ndërsa provat e administruara do të vlerësohen nga organet kompetente.
FIERIWEB.COM




