Zbulohet plantacioni me mbi 1200 bimë kan*bisi në Itali, vlera në treg mbi 1 milionë euro! Arrestohet shqiptari që kujdesej për dr*gën

Një shqiptar me banim në Asti është arrestuar në Itali, pasi karabinierët zbuluan një plantacion me 1206 bimë kanabisi brenda një magazine të izoluar në Coassolo Torinese, pranë Torinos. Shqiptari u gjet brenda objektit dhe dyshohet se ishte personi që kujdesej për plantacionin, vlera e të cilit në tregun e paligjshëm përllogaritet mbi 1 milion euro.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, magazina ndodhej në një zonë të pyllëzuar dhe të vështirë për t’u arritur. Hetuesit kishin disa muaj që ndiqnin gjurmët e kultivimit të fshehtë, derisa arritën të zbulonin vendndodhjen e tij.
Brenda objektit u gjetën bimë në faza të ndryshme të lulëzimit. Për kultivimin e tyre ishte instaluar një sistem ndriçimi, ajrimi dhe ngrohjeje, që krijonte kushtet e nevojshme për rritjen e kanabisit.
Pajisjet furnizoheshin me energji elektrike të marrë në mënyrë të paligjshme. Teknikët e rrjetit elektrik përllogaritën një konsum ditor prej 80 deri në 100 kilovatorë-orësh.
Operacioni ishte pjesë e një hetimi më të gjerë të karabinierëve të Astit për trafik të dyshuar droge dhe mbajtje të paligjshme armësh. Në kuadër të tij u kryen 13 kontrolle, me urdhër të autoriteteve gjyqësore, në Asti, në disa komuna të provincës dhe në Coassolo Torinese.
Shqiptari u dërgua në burgun e Ivreas, ndërsa magazina dhe pajisjet e përdorura për kultivimin e kanabisit u sekuestruan.




