SKËNDER HITA: 201 PUNONJËS POLICIE TË PLAGOSUR NË PROTESTA, IDENTIFIKOHEN 52 PERSONA TË DYSHUAR PËR DHUNË

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaron se materialet për 52 personat janë referuar në Prokurori. Hita u bën thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna, ndërsa premton garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë protestave.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka bërë një deklaratë publike lidhur me aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet gjatë dy javëve të fundit, duke bërë të ditur se 201 punonjës policie kanë mbetur të plagosur në krye të detyrës.
Sipas Hitës, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar akte dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, institucioneve shtetërore, si dhe pronës publike dhe private, duke cenuar sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën për zhvillimin e protestave paqësore.
Kreu i Policisë bëri të ditur se, pas këqyrjes dhe analizimit të pamjeve filmike, janë identifikuar deri më tani 52 persona të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunshme. Sipas tij, disa prej tyre kanë tentuar të fshehin identitetin përmes maskimit.
Materialet procedurale në ngarkim të 52 personave janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa puna hetimore vijon për identifikimin dhe dokumentimin e plotë të të gjithë personave të përfshirë në incidentet e dhunshme.
Hita u bëri thirrje të veçantë prindërve që të tregojnë kujdes dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në situata ku ushtrohet dhunë dhe rrezikohet siguria e tyre. Ai kërkoi gjithashtu nga qytetarët të distancohen nga personat që kryejnë akte dhune dhe të bashkëpunojnë me Policinë për ruajtjen e rendit publik.
“Policia e Shtetit është dhe mbetet e vendosur të garantojë të drejtën kushtetuese të tubimit dhe protestës paqësore, por njëkohësisht do të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit, ndaj cilitdo që përdor dhunën, rrezikon jetën e njerëzve apo dëmton pronën publike dhe private”, deklaroi Hita.
Hita: Media duhet të ushtrojë profesionin e lirë dhe të sigurt
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ia kushtoi edhe marrëdhënies së Policisë së Shtetit me median, pas shqetësimeve të ngritura nga organizatat e gazetarëve lidhur me pengesat dhe incidentet e raportuara gjatë mbulimit të protestave.
Hita vlerësoi rolin e gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve në informimin e publikut, duke theksuar se e drejta e tyre për të ushtruar profesionin në mënyrë të lirë dhe të pavarur duhet të respektohet dhe të mbrohet.
Ai nënvizoi se Policia e Shtetit e konsideron median një partner të rëndësishëm në informimin e publikut dhe garantimin e transparencës institucionale.
Sipas tij, gjatë tubimeve dhe situatave të tensionuara duhet të forcohet koordinimi në terren mes shërbimeve policore dhe përfaqësuesve të medias, përmes komunikimit të qartë dhe në kohë.
Kreu i Policisë theksoi se respektimi i perimetrave të sigurisë dhe udhëzimeve të shërbimeve policore duhet të shoqërohet me garantimin e së drejtës së gazetarëve për të dokumentuar dhe raportuar zhvillimet me interes publik.
Ai u shpreh gjithashtu se çdo shqetësim apo pretendim për pengim të punës së gazetarëve ose sjellje të papërshtatshme nga punonjës të Policisë do të trajtohet me seriozitet, objektivitet dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Në përfundim, Skënder Hita theksoi se siguria e gazetarëve dhe liria e informimit janë përgjegjësi që duhet të garantohen njëkohësisht me ruajtjen e rendit publik.
“Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë. Media ka misionin të informojë. Respektimi i këtyre dy përgjegjësive është në interes të qytetarëve dhe të një shoqërie demokratike”, përfundoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.




