Tirana prodhon gati gjysmën e ekonomisë shqiptare, Fieri mbi 1 milion lekë PBB për frymë, por qarqet zhvillohen me ritme të ndryshme

Shqipëria po shënon rritje ekonomike, por zhvillimi mbetet i pabarabartë mes qarqeve. Gati gjysma e ekonomisë së vendit përqendrohet në Tiranë, ndërsa disa qarqe regjistrojnë ritme shumë të ulëta rritjeje.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2024 tregojnë se Tirana prodhoi 46.94% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë, ndërsa rajoni Qendër përfaqësoi 52.87% të ekonomisë kombëtare.
Diferencat janë të dukshme edhe në prodhimin ekonomik për frymë. Tirana kryeson me 1 milion e 556 mijë lekë për banor, ndërsa Kukësi renditet i fundit me vetëm 568 mijë lekë.
Fieri ndër qarqet me PBB mbi 1 milion lekë për banor
Fieri renditet ndër qarqet me nivelin më të lartë të PBB-së për frymë, me 1 milion e 34 mijë lekë, duke u pozicionuar pas Tiranës dhe Durrësit.
Sipas të dhënave, Durrësi regjistron 1 milion e 152 mijë lekë, ndërsa Vlora 988 mijë lekë për banor.
Në fund të renditjes, pas Kukësit, janë Dibra me 610 mijë lekë dhe Berati me 613 mijë lekë për frymë.
Rritja ekonomike, diferenca të mëdha mes qarqeve
Ekonomia shqiptare u rrit me 4.03% gjatë vitit 2024, por jo të gjitha qarqet përfituan njësoj nga ky zhvillim.
Tirana shënoi rritjen më të lartë, me 7.08%, ndërsa në Shkodër rritja ishte vetëm 0.19% dhe në Dibër 0.27%.
Edhe ndarja rajonale tregon diferenca të konsiderueshme: rajoni Qendër u rrit me 6.43%, Jugu me 1.31% dhe Veriu me 1.60%.
Bujqësia dhe ndërtimi, sektorët kryesorë sipas rajoneve
Të dhënat tregojnë gjithashtu ndryshime në strukturën e aktivitetit ekonomik. Në rajonin e Veriut dhe në atë të Jugut, bujqësia mbetet aktiviteti kryesor, ndërsa në rajonin Qendër dominon ndërtimi.
Ndarja e PBB-së sipas rajoneve paraqitet si më poshtë:
Rajoni Qendër: 52.87%
Rajoni Jug: 25.45%
Rajoni Veri: 21.68%
Shifrat tregojnë se ekonomia shqiptare vijon të përqendrohet kryesisht në kryeqytet dhe zonën qendrore, ndërsa qarqet e tjera mbeten pas si në nivelin e prodhimit ekonomik, ashtu edhe në ritmin e rritjes.
Burimi: INSTAT, të dhënat për vitin 2024.




