FIER, GODITET GRUPI QË SHPËRNDANTE DROGË PRANË SHKOLLAVE, 4 TË ARRESTUAR DHE NJË NË KËRKIM
Finalizohet nga Policia e Fierit operacioni i koduar “Clean School”, në kuadër të një hetimi disa mujor për goditjen e një grupi që dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun Fier.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar katër persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për pesë shtetasit e përfshirë në hetim.
Të arrestuarit janë:
- Kevin Bare, 28 vjeç;
- Dejvi Ferko, 25 vjeç;
- Marjus Zhaka, 48 vjeç;
- Taulant Çela, 52 vjeç.
Të katër janë banues në Fier.
Ndërkohë, policia vijon punën për kapjen e E. B., 38 vjeç, gjithashtu banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve në banesat e personave të arrestuar, uniformat blu sekuestruan 2.9 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër telefona celularë.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit.
Policia bën me dije se hetimet kishin nisur disa muaj më parë dhe ishin përdorur metoda speciale të hetimit për dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




