Shtohen rastet e helmimeve të dyshuara në Vlorë, dyshohet për ndotje të ujit të pijshëm

Është rritur numri i qytetarëve që i janë drejtuar Spitalit Rajonal të Vlorës me simptoma të të vjellave dhe diarresë. Rastet janë konstatuar kryesisht në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”, ku disa banorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Pas marrjes së serumit dhe trajtimit përkatës, pacientët janë larguar në banesat e tyre, pa pasur nevojë për shtrim në spital.
Dyshimet paraprake lidhen me cilësinë e ujit të pijshëm, pas ndërhyrjeve riparuese të kryera në rrjetin e ujësjellësit dhe rikthimit të furnizimit në këto lagje.
Nga analizat e kryera në mostrat e ujit, në dy prej tyre është konstatuar mungesë e klorit, ndërsa mostrat e tjera kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse problemet shëndetësore të banorëve kanë ardhur si pasojë e konsumit të ujit. Shkaku i rasteve mbetet në verifikim.




