Rekrutimet në Forcat e Armatosura, nis faza e parë në Fier – Rritet numri i vajzave që zgjedhin uniformën ushtarake

Ka nisur në Fier faza e parë e rekrutimeve për ushtarë profesionistë në Forcat e Armatosura. Në kuadër të kësaj faze, përfaqësues të ushtrisë kanë zhvilluar një aktivitet demonstrues, përmes të cilit kanë prezantuar nga afër mundësitë e karrierës ushtarake, duke ftuar të rinjtë që të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.
Pavarësisht se në rajonin e Fierit nuk ka struktura të mirëfillta ushtarake, si reparte apo regjimente, interesi i të rinjve për t’u angazhuar në ushtri mbetet i lartë. Fieri renditet ndër zonat me përqindjen më të lartë të rekrutimeve, duke dëshmuar interesin e vazhdueshëm për këtë profesion.
Një tjetër zhvillim pozitiv është rritja e interesit nga vajzat, të cilat po i bashkohen gjithnjë e më shumë Forcave të Armatosura, duke zgjedhur uniformën ushtarake si një mundësi për karrierë dhe zhvillim profesional.
Gjatë aktivitetit, të rinjtë kanë pasur mundësinë të njihen me kërkesat, kriteret dhe përfitimet që ofron shërbimi ushtarak, si dhe me mundësitë për t’u bërë pjesë e strukturave të ushtrisë shqiptare.
Interesi i lartë i qytetarëve të Fierit për rekrutimet është konfirmuar edhe gjatë vitit të kaluar, kur ky qark arriti të plotësonte 100% të kuotave të përcaktuara për rekrutimin e ushtarëve profesionistë.
Rekrutimet synojnë tërheqjen e brezit të ri në radhët e Forcave të Armatosura, ndërsa rritja e pjesëmarrjes së vajzave tregon një prirje në zgjerim drejt barazisë së mundësive në karrierën ushtarake.




