AKTUALITETSTAR CHANNEL

Zgjerohet Korridori VIII, 5.5 miliardë lekë në vitin 2027, financohen fazat e reja

Ndërtimi i Korridorit VIII do të vijojë me financimin e segmenteve të reja gjatë vitit 2027, duke zgjeruar investimin në drejtim të Peqinit dhe Qafë-Thanës. Sipas projektbuxhetit 2027, për këtë korridor janë parashikuar rreth 5.52 miliardë lekë, duke e renditur ndër projektet rrugore me financimin më të lartë për vitin e ardhshëm.

Një pjesë e rëndësishme e financimit do të shkojë për aksin Elbasan–Rrogozhinë. Krahas fondeve për kontratat që janë aktualisht në zbatim, parashikohet të nisë financimi i tri fazave të reja nga Ura e Grykshit deri në Peqin. Për fazën e parë janë planifikuar 800 milionë lekë, ndërsa për dy fazat e tjera nga 600 milionë lekë secila. Në total, këto tri kontrata do të përfitojnë 2 miliardë lekë gjatë vitit 2027, ndërsa vlera e përgjithshme e investimit për përfundimin e tyre arrin në 10 miliardë lekë.

Reklama në FieriWeb - “VODAFONE ALBANIA”

Në programin buxhetor janë përfshirë edhe dy faza të tjera të këtij aksi, që shtrihen nga Peqini në Lekaj. Për këto segmente nuk parashikohet financim gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa nisja e pagesave është planifikuar për vitin 2029, me nga 600 milionë lekë për secilën fazë. Përfundimi i të dy kontratave kërkon një investim prej 6 miliardë lekësh.

Aksi Elbasan–Rrogozhinë ka një gjatësi të përgjithshme prej 40.7 kilometrash. Rruga nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, ku lidhet me autostradën ekzistuese të Korridorit Blu. Gjashtë fazat e para, ku aktualisht po punohet, mbulojnë rreth 20 kilometra të këtij aksi.

Reklama në FieriWeb - "ARGJENDARI ILIA"

Ndërkohë, në drejtimin Elbasan–Qafë-Thanë, projektbuxheti parashikon nisjen e financimit të fazës së nëntë, për të cilën janë planifikuar 1 miliard lekë gjatë vitit 2027. Vlera e përgjithshme e kësaj faze arrin në 5 miliardë lekë, me pagesa që do të vijojnë edhe pas vitit 2029. Sipas të dhënave të bëra publike më herët, kjo fazë përfshin edhe tunelin e Hotolishtit.

Në këtë drejtim, 7.5 kilometrat e parë të rrugës janë hapur tashmë për qarkullimin e automjeteve. Segmenti shtrihet nga dalja e Labinot-Fushës deri pas fshatit Mirakë dhe është ndërtuar me dy korsi në secilin drejtim.

Reklama në FieriWeb - “PIZZA ITALIA FIER”

Financim në projektbuxhetin e vitit 2027 është parashikuar edhe për dy kontratat në zbatim të rrugës që lidh aksin Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII. Në listën e investimeve është përfshirë edhe një fazë e tretë e kësaj lidhjeje, por financimi i saj pritet të nisë në vitin 2028.

Ky segment është pjesë e bypass-it të Elbasanit, i cili synon të krijojë lidhjen mes akseve Elbasan–Qafë-Thanë dhe Elbasan–Lekaj, duke plotësuar më tej infrastrukturën rrugore të Korridorit VIII.

Reklama në FieriWeb “WIZZ AIR”

Reklama në FieriWeb - "COVIM CAFFE"

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button