FIER, RRJEDHJE GAZI NË NJË FURRË BUKË, ÇIFTI PËRFUNDON NË SPITAL NË GJENDJE ASFIKSIE

Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi është regjistruar mëngjesin e sotëm në lagjen “Afrim i Ri” në qytetin e Fierit, ku një rrjedhje gazi në një furrë buke ka bërë që një çift bashkëshortësh të përfundojë në spital në gjendje asfiksie.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00, në banesën e çiftit Kola, ku familjarët ushtronin edhe aktivitetin e prodhimit të bukës.
Pas njoftimit për situatën, në vendngjarje kanë mbërritur dy autoambulanca, të cilat kanë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit Janaq Kolën, rreth 60 vjeç, dhe bashkëshorten e tij.
Sipas informacioneve paraprake, çifti është paraqitur në spital me shenja asfiksie, por fatmirësisht të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur edhe Policia, e cila po punon për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe për të përcaktuar shkakun e rrjedhjes së gazit.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të urgjencës ka shmangur pasoja potencialisht tragjike për çiftin.




