Shqipëri–Itali, bashkëpunim më i fortë kundër krimit të organizuar, Skënder Hita takohet me homologun italian në Romë

Romë, Itali – Forcimi i bashkëpunimit mes Policisë Shqiptare dhe asaj Italiane, intensifikimi i hetimeve të përbashkëta dhe goditja e organizatave kriminale ndërkombëtare kanë qenë në qendër të takimit mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe homologut të tij italian, Vittorio Pisani.
Gjatë takimit në Romë, dy drejtuesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy institucioneve dhe riafirmuan angazhimin për thellimin e partneritetit strategjik në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kriminalitetit kibernetik.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua suksesit të skuadrave të përbashkëta hetimore shqiptaro-italiane, të cilat janë cilësuar si një model bashkëpunimi me rëndësi edhe në nivel europian.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, theksoi se thellimi i bashkëpunimit me partnerët strategjikë, veçanërisht me Italinë, është një nga prioritetet kryesore të drejtimit të tij.

Ai u shpreh i vendosur për të rritur efikasitetin e partneritetit, në mënyrë që të përballohen format e reja të kriminalitetit dhe të parandalohet veprimtaria e organizatave kriminale.
Nga ana e tij, homologu italian Vittorio Pisani garantoi mbështetjen e Policisë Italiane për Policinë Shqiptare, duke e cilësuar marrëdhënien mes dy institucioneve si një model suksesi.

Pisani nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të luftës së përbashkët kundër grupeve kriminale, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kibernetike. Ai konfirmoi gjithashtu vijimin e mbështetjes për monitorimin ajror të territorit shqiptar, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe shkëmbimi i informacionit kriminal, koordinimi i hetimeve dhe zhvillimi i operacioneve të përbashkëta, si dhe rritja e kapaciteteve profesionale dhe inteligjencës policore.
Të dy drejtuesit theksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe kërcënimeve kriminale në hapësirën digjitale.
Bashkëpunimi shqiptaro-italian konsiderohet një instrument kyç për identifikimin dhe lokalizimin e personave në kërkim, goditjen e organizatave kriminale që veprojnë përtej kufijve dhe zhvillimin e hetimeve të koordinuara mes dy vendeve.




