AKTUALITET
Pas gazetarëve, edhe Dhoma e Avokatisë çon në Kushtetuese rregulloren e GJKKO-së: Shfuqizojeni, cenon të drejtat dhe garancitë kushtetuese

Pas gazetarëve, edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e rregullores së brendshme të Gjykatës së Posaçme (GJKKO).
Sipas Dhomës së Avokatisë, GJKKO ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka kufizuar në mënyrë joproporcionale të drejtat dhe garancitë kushtetuese.
Kërkesa përfshin edhe pezullimin e zbatimit të rregullores deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas kërkuesve, rreth 22 nene dhe 5 anekse të rregullores bien ndesh me Kushtetutën. Pretendimet kryesore lidhen me tejkalimin e kompetencave të Këshillit të Gjykatës, cenimin e pavarësisë së avokatëve dhe kufizimin e së drejtës për një mbrojtje efektive.




