Misteri/ I mituri turk gjendet duke u endur në Holandë 3 muaj pas tërmetit shkatërrimtar, nuk dihet si mbërriti aty
Tërmeti 7.8 ballë që goditi Turqinë më 6 shkurt ishte katastrofik, teksa mbi 500.000 persona ndërruan jetë poshtë rrënojave.
Megjithatë, 3 muaj më vonë, një ngjarje e mistershme ka ndodhur, teksa një djalë i vogël është gjetur duke u endur i humbur në rrugët e Mastrihtit, në Holandë.
I mituri u gjet nga autoritetet, ndërsa deklaronte se ishte nga Turqia por kishte humbur shtëpinë e tij nga tërmeti shkatërrimtar. Ai shtoi se prindërit e tij ndodhen akoma në Turqi, pasi janë plagosur nga tërmeti.
Oficerët e policisë e çuan në një ëmbëltore para se ta çonin në komisariat, ku i dhanë ushqim dhe akullore. Djali fliste vetëm turqisht dhe nuk dinte asnjë fjalë në gjuhën holandeze.
Fëmija tani është dorëzuar te punonjësit socialë dhe më vonë është dërguar në një strehë.
Aktualisht është e paqartë se si fëmija ka mbërritur në Holandë, dhe Ambasada Turke në Hagë ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme holandeze për informacione të mëtejshme për këtë çështje.
Një zyrtar i ambasadës turke u ankua se autoritetet holandeze nuk i kishin informuar për djalin, duke thënë: “Duket se fëmija nuk është holandez, sepse ai flet vetëm turqisht, e kanë bërë të flasë me policinë me origjinë turke. Në këtë rast ata i dhanë informacion Shërbimeve Sociale Holandeze kur duhej të na telefononin.”