Humbën rrugën duke eksploruar, gjenden 5 turistë në Pogradec
Policia ka gjetur pesë turistë çekë që kishin humbur pasditen e sotme në zonën e Jollës në Pogradec.
Efektivët e Policisë së Pogradecit nisën menjëherë kontrollet për lokalizimin e pesë turistëve çek të cilët humbën rrugën duke eksploruar në mal, pas njoftimit që morën në fshatin Zgallë të Velçanit.
Ata u gjetën më vonë gjatë kontrolleve të Policisë së Pogradecit dhe u shoqëruan drejt rrugës , ku kishin lënë motomjetet e tyre
Njoftimi i Policisë Pogradec
Policia e Pogradecit u vjen në ndihmë 5 turistëve çekë, të cilët kishin humbur rrugën, duke eksploruar zonën e Jollës.
Ditën e sotme, një grup punonjësish të Komisariatit të Policisë Pogradec, gjatë kontrollit të territorit, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Zgallë, njësia administrative Velçan, 5 turistë çekë kishin humbur rrugën duke eksploruar këtë zonë, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve.
Punonjësit e Policisë i kanë shoqëruar turistët dhe i kanë orientuar në rrugë, ku më pas ata kanë marrë edhe mjetet e tyre motorike. Turistët çekë kanë falënderuar punonjësit e Policisë, për ndihmën e ofruar.