Lirimi i Saimir Tahirit, reagon ashpër ambasadorja Yuri Kim
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar ashpër kundër lirimit të ish-ministrit Saimir Tahiri nga burgu, me një vendim të Gjykatës së Elbasanit, e cila i dha politikanit socialist liri me kusht.
Kim shkruan se është zhgënjyese të shohësh se si në Shqipëri funksionojnë ende mënyrat e vjetra të mosndëshkimit, ndërsa shton se nuk janë të denja për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirat për BE.
Postimi i Kim:
Shumë zhgënjyese të shohësh se si mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare.
Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja.
Gjykata e Elbasanit vendosi lirimin me kusht të Saimir Tahirit.
Ish ministrit Tahiri i kishin mbetur 1 vit e 8 muaj burg për të shlyer dënimin e tij por gjyqtarja Matilda Fetau ka vendosur që pas kërkesës së mbrojtjes, ta kryejë pjesën tjetër në banesën e tij.
Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit, 1 vit e 8 muaj burg.
Burimet bejne me dije se në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore.
Ndërsa në akt ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte.
Më 4 shkurt të vitit 2022, Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg për “Shpërdorim detyre”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burg.